Shëndet, Drejtësi dhe Mbrojtje Efektive për Gratë dhe Vajzat Viktima të Dhunës
Shëndet, Drejtësi dhe Mbrojtje Efektive për Gratë dhe Vajzat Viktima të Dhunës
Dhuna me bazë gjinore mbetet një nga plagët më të thella të shoqërisë sonë. Në Shqipëri, shumë gra dhe vajza, veçanërisht ato që i përkasin komuniteteve më të margjinalizuara, përballen ende me barriera të shumta për të kërkuar ndihmë, drejtësi dhe mbrojtje. Shpesh, stigma, frika dhe mosbesimi ndaj institucioneve i lënë ato në heshtje dhe pa mbështetje. Ky është realiteti që kërkon një reagim të përbashkët institucional. Për t’u dhënë zë historive të tyre dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes komunitetit dhe institucioneve, Instituti për Zhvillim Strategjik (IZHS) ka nisur zbatimin e projektit “Shëndet, Drejtësi dhe Mbrojtje Efektive për Gratë dhe Vajzat Viktima të Dhunës”, që zbatohet në bashkitë Tiranë dhe Kukës. Ky projekt vjen si një angazhim i fortë për të përmirësuar reagimin institucional ndaj dhunës me bazë gjinore dhe për të siguruar qasje të barabartë në shërbime shëndetësore e sociale për gratë, vajzat dhe personat nga grupet më të margjinalizuara të shoqërisë. Në thelb të tij qëndron bindja se raportimi nuk është turp, por akt kuraje, dhe se mbrojtja e grave dhe vajzave është përgjegjësi e përbashkët, e institucioneve, e komunitetit dhe e secilit prej nesh. Përmes trajnimeve praktike, sesioneve informuese dhe fushatave ndërgjegjësuese, projekti synon të:
  • fuqizojë organizatat vendore që mbrojnë të drejtat e grave dhe vajzave pjesë e komuniteteve të margjinalizuara duke përfshirë romët dhe personat LGBTQI+;
  • forcojë kapacitetet e anëtarëve të Mekanizmave të Koordinuar të Referimit për t’u përgjigjur më mirë ndaj rasteve të dhunës;
  • rrisë ndërgjegjësimin publik për të drejtat, mbrojtjen ligjore dhe shërbimet që u ofrohen viktimave.
Gjatë muajve në vijim, aktivitetet e projektit do të zhvillohen në Tiranë dhe Kukës.  Në praktikë, kjo do të thotë që ato do të përfshijnë trajnime për aktorët lokalë, sesione informuese me komunitetet e margjinalizuara, përfshirë vajzat dhe gratë rome, si dhe personat LGBTQI+, si edhe një fushatë ndërgjegjësuese kombëtare që do të sjellë histori frymëzuese dhe mesazhe të qarta solidariteti e përgjegjësie. Projekti “Shëndet, Drejtësi dhe Mbrojtje Efektive për Gratë dhe Vajzat Viktima të Dhunës” zhvillohet si pjesë e projektit “Përparimi i Barazisë Gjinore përmes Mbikëqyrjes dhe Raportimit”, me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian dhe implementohet nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim, në partneritet me Together for Life dhe Institutin e Kulturës Rome në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *